Ish-ministri i Jashtëm, historiani Paskal Milo ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “5Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv ku foli për rishkrimin e historisë së vendit tonë. Në çfarë stadi është ky proces dhe për çfarë është i nevojshëm?
“Historia vetë si proces ka nevojë që të rishkruhet, mbështetur në disa argumente. Jo të gjitha ngjarjet mund të ndriçohen në të njëjtën kohë. Ka dokumente arkivore që dalin dhe shfrytëzohen gradualisht, jo të gjitha njëherësh. Është e nevojshme të rishikohet si është shkruar historia”.
I pyetur se në çfarë grupi pune është, Milo tha se “unë jam tek grupi i punës që merret me historinë e shqiptarëve nga 19912 deri në 1990. Ajo që është më e debatuara dhe që ka problemet më të mëdha. Ne sot jemi mbledhur si grup pune dhe kemi diskutuar se ku jemi me projektin dhe se çfarë problemesh kemi dhe si është ecuria e rishkrimit të kësaj historie”.
Po ku do të ndërhyhet, në cilat pjesë? “Botimi i fundit i historisë së shqiptarëve është bërë para gati 20 vitesh dhe jam botuar 4 vëllime. Brenda kësaj periudhe janë gjetur dokumente të reja dhe janë de-klasifikuar. Në këto dokumente janë gjetur lëndë të mjaftueshme për rishkrimin e historisë. Për periudhën që unë kryesoj grupin e punës, të gjithë historianët kanë bërë kërkime të reja.
Nuk ka përmbysje, por vetëm rishkrim të historisë për të qartësuar dhe ndriçuar më mirë momente të caktuara të historisë shqiptare. Sot është krijuar një opinion i gabuar që këtë proces të rishkrimit e cilësojnë si një proces përmbysje, si një proces rishkrimi total, dhe që thonë “do të ribëjmë historinë”. Historia bëhet vetëm një herë, por interpretohet dhe shkruhet shumë herë” tha ai.