Gjykata e Posaçme firmosi të premten, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie.
Por për çfarë akuzohen?
SPAK thotë se Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar në mënyrë të parregullt nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri 119,755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, shoqërinë koncesionare “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës ka qënë aksionere edhe shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Këtë përfitim të parregullt Alqi Bllako e ka siguruar nga Klodian Zoto nëpërmjet pagesës për pajisjen “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, me vlerë 119,755 Euro. Kjo pajisje ka shërbyer për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, operatorin ekonomik “Edmond Bllako” Person Fizik, e cila ka pasur si fushë veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e birrës në qytetin Ersekës. Kjo pajisje rezulton të jetë blerë pas kërkesës së bërë nga vetë Alqi Bllako, me porosi të Klodian Zotos, bërë nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortes së tij, Ilza Zoto,“Artemis Farm” sh.p.k.
Inceneratori i Tiranës/ SPAK: Zoto i bëri vetë letrat e ministrisë sikur i donte
Po ashtu, rezulton se Alqi Bllako, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, i ka kërkuar /propozuar Klodian Zotos dhënien e përfitimit të parregullt për Vladimir Bezhanin në shumën prej 7,520,000 që ka shërbyer si “urë lidhëse”.
Inceneratori i Tiranës/ SPAK: 29 Euro/ton! Zoto e vendosi çmimin vetë sa donte