Më 27 gusht 1923 u vra pak kilometra nga Kakavija, kryetari i komisionit të kufijve, gjenerali italian, Enrico Tellini dhe katër shoqëruesit e tij. Në kujtim të tij këtë 100 vjetor shteti heshti dhe bashkë me institucionet të gjithë. Në nderim dhe mirënjohje për figurën e gjeneral Tellinit, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi akademi përkujtimore.
Kryetari i Fondacionit Alket Veliu u shpreh se kjo është një nga barbaritë që ka parë bota dhe vepra më represive që kanë bërë nacionalistët grekë. Gjest tragjik, i hidhur dhe i pabesë. Heshtjen e shtetit për mbrojtësin e kufijve tanë, Veliu e cilësoi si të orkestruar.
Profesor Ksenofon Krisafi u shpreh se Enrico Tellini mbi gjithçka donte dhe respektonte të vërtetën, që sipas tij, në ditët e fundit të jetës së tij ishte në anën e Shqipërisë. Ai kujtoi fjalët e fundit të gjeneralit një ditë përpara se të vritej.
Të ftuar të posaçëm në këtë akademi përkujtimore ishin profesor Lorenzo Franchini, stërnip i Tellinit dhe Prof. Andrea Giannasi studiues dhe autor i librit “Prej vrasjes së Tellinit te pushtimi i Korfuzit”.
Franchini u shpreh se grekët sulmojnë gjeneralin Tellini, që sipas tyre ishte një hero fashist, por që nuk është e vërtetë. Ai tha se Musolini përfitoi nga rasti, familja Tellini nuk ishte fashiste por e borgjezisë së lartë.
Jo vetëm kaq, por komuniteti grek në Livorno me një forcë politike lokale propozoi që të hiqte emrin e gjeneral Telinit në një rrugë, për ta quajtur “Rruga e Grekëve”.
Stërnipit të gjeneralit Tellini iu dorëzua certifikata e Dëshmorit të Atdheut dhënë nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i dorëzoi familjarit të gjeneralit medaljen e mirënjohjes si dëshmor i kufijve të Shqipërisë.