Nga 1 janari 2024, të vetëpunësuarit e profesioneve të lira do të ngarkohen me tatim mbi të ardhurat sa shoqëritë tregtare dhe më shumë se korporatat, ndërsa bizneset e vogla do të vijojnë me zero tatim deri më 31 janar 2029.
Për kontabilistët ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat po krijon pabarazi mes bizneseve dhe godet shtresën e mesme. Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se kjo kategori nga 1 janari 2024 do të paguajë deri 50% më pak tatim se të punësuarit.
Për ekspertët edhe Akti Normativ për ndryshimet e ligjit vlerësohet i pazbatueshëm dhe me kosto shtesë për bizneset. Ligji pritet të dërgohet në Kushtetuese.
Nga 1 janari 2024, të vetëpunësuarit dhe personat fizik të profesioneve të lira të përcaktuara në listën analitike të miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të paguajnë tatimin progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Nëpërmjet ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri në 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.
“Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:
a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;
b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit”, thuhet në udhëzimin e përgjithshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Udhëzimi gjithashtu përcakton se nëse një i vetëpunësuar, 80% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga një klient i vetëm, apo 90% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se tre klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën.
Ligji përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029./ Monitor
Artikulli i plotë këtu.