Autoritetet tajvaneze kanë dërguar një mesazh urgjent pas lëshimit të një sateliti kinez mbi hapësirën ajrore të ishullit.
Sipas mediave të huaja, alarmi përmes telefonit celular u dërgua të martën pasi media shtetërore kineze konfirmoi lëshimin e një sateliti shkencor.
Alarmi erdhi mes përgatitjeve në Tajvan për zgjedhjet javën e ardhshme.
Kina, e cila pretendon se ishulli është i veti, po vëzhgon nga afër dhe paralajmëron se rezultati mund të rrisë më tej tensionin në ngushticën e Tajvanit.
“Kina lëshoi [një] satelit që fluturoi mbi hapësirën ajrore jugore”, tha alarmi i dërguar në kinezisht. “Publikut, ju lutemi kini kujdes”.
Një version në gjuhën angleze e shpalli atë si një “lajmërim për sulm ajror” dhe paralajmëroi për “një fluturim rakete mbi hapësirën ajrore të Tajvanit”.
Megjithatë, ministria e mbrojtjes më vonë kërkoi falje për gabimin, duke thënë se mesazhi i paracaktuar në anglisht nuk ishte përditësuar.
Alarmi erdhi ndërsa ministri i Jashtëm, Joseph Wu po mbante një konferencë shtypi në Taipei përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të shtunën.
Ai siguroi të pranishmit se alarmi ishte për një satelit.
Ndërkohë agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua tha se Kina kishte lëshuar “një satelit të ri astronomik” të quajtur Sonda Einstein nga provinca jugperëndimore e Sichuan.
Sateliti do të përdoret për të bërë vëzhgime të tilla si “fenomene kalimtare misterioze në univers”.
Kina ka pasur një prani pothuajse të përditshme ushtarake rreth Tajvanit në prag të zgjedhjeve.
Kandidati kryesor Lai Ching-te, nënpresidenti aktual i Tajvanit, ka akuzuar Pekinin për përdorimin e “të gjitha mjeteve” për të ndikuar në votim.
Në anën tjetër, Kina i ka përshkruar zgjedhjet si një zgjedhje midis luftës dhe paqes.