Superkupa e Spanjës që po zhvillohet në Arabinë Saudite do të finalizohet mbrëmjen e sotme në 22:00 me finalen e madhe. Dhe çfarë finaleje, Real Madrid kundër Barcelonës.
“Los Galacticos” pak ditë më parë triumfuan në derbin historik ndaj Atletico Madrid me shifrat 5-3, ndërsa Barcelona vjen pas fitores 2-0 ndaj Osasunas.
Kjo do të jetë përballja e dytë për këtë sezon midis dy gjigandëve spanjollë, pasi të parën e vendosi ylli i momentit Jude Bellingham, një humbje e cila i lë ende shije të hidhur tifozëve katalanas.
Ndërsa “El Clasico” këtë herë ka një shije komplet tjetër, në lojë është trofeu i parë për këtë sezon.
Të dy trajnerët shpresojnë shumë tek fitimi i trofeut, Xavi është ai që e ka më të nevojshme për të qetësuar gjakërat në lidhje me pozitën e tij në stolin katalanas, ndërsa dëmtime të shumta shqetësojnë të dy ekipet.
Raphinha doli i lënduar nga fusha e lojës kundër Osasunas të enjten, dhe gjasat që ai të jetë pjesë e ekipit janë pothuajse 0.
Ndërkohë, Madridi mund të ketë Federico Valverde në dispozicion pavarësisht se mesfushori uruguaian la gjithashtu fushën kundër Atletikos.
Dani Carvajal pavarësisht mungesës në stërvitje për shkak të lodhjes së muskujve pritet të jetë pjesë e kësaj finaleje emocionuese.
Kështu pritet të jetë rreshtimi i dy ekipeve sonte:
Real Madridi: Kepa; Carvajal, Rudiger, Nacho, Mendy; Tchouameni, Modric, Valverde; Rodrygo, Bellingham, Vinicius Jr
Barcelona: Ter Stegen; Cancelo, Kounde, Christensen, Balde; Romeu, De Jong, Gundogan; Yamal, Lewandowski, Torres