Një ditë pas zjarrit në spitalin rajonal në Shkodër, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e ka vizituar nga afër situatën, duke theksuar se ndërsa po hetohen shkaqet, situata është kthyer në normalitet.
“Në Spitalin Rajonal të Shkodrës bashkë me Kryetarin e Bashkisë Benet Beci pamë nga afër ambientin ku mbrëmë u përfshi nga zjarri një nga dhomat e mjekëve në pavionin e kirurgjisë, i cili u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet po hetohen. Tashmë çdo gjë është kthyer në normalitet dhe pacientët e qytetarët marrin të gjitha shërbimet e nevojshme. Faleminderit personelit mjekësor dhe forcave zjarrfikëse për reagimin në kohë që kjo situatë të kalonte pa probleme për pacientet e stafin mjekësor”, shkruan ministrja.