Agron Kuliçaj ish nën Drejtor i Policisë së Shtetit ka dëshmuar këtë të hënë në GJKKO, në procesin që po mbahet ndaj Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë tjerë për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.
Kuliçaj tha se në vitin 2008 ai mori një letër nga i dënuari Luftar Reçi ku e informonte për ngjarje kriminale në Tiranë, Durrës dhe Dibër.
Ai nënvizoi se e ka takuar Reçin, por nuk e ka intervistuar pasi nuk e kishte detyrë funksionale.
“Në 2008 Luftar Reçi më është drejtuar me një letër ku fliste për disa ngjarje të rënda në Dibër për trafik armësh, por dhe vrasje të ndodhura në Tiranë dhe Durrës. Pas letrës kam marrë kontakt me të në burg bashkë me dy drejtorët Tonin Vocaj dhe Arjan Kurti. Nuk e kam intervistuar unë, sepse se kisha detyre funksionale”, tha Kuliçaj.
Ish-nën drejtori i policisë së Shtetit tha se në lidhje me rastin u informua prokurorja e përgjithshme Ina Rama dhe çështja i kaloi krimeve të rënda.
I pyetur nga Shullazi nese e përmendte emrin e tij në leter në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj, Kulicaj u përgjigj: “Po e përmendte”!
I penduari i drejtësisë Luftar Reçi rrëfeu të dhëna që çuan në zbardhjen e vrasjeve të bujshme të vitit 2005 të Klodan Saliut në Durrës dhe Vajdin Lames me eksploziv në Tiranë.
Për këtë SPAK ka marrë të pandehur Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin, ndërsa u arrestua së fundmi dhe ish-kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha, si i dyshuar i përfshirë në ngjarje./ Euronews