Tre kompani të mëdha japoneze të anijeve njoftuan sot se po pezullojnë shërbimet përmes Detit të Kuq për shkak të sulmeve të Houthi-ve ndaj anijeve që kalojnë përmes rrugës jetike ujore. Pas drejtimit të linjave të tjera kryesore ndërkombëtare, Nippon Yusen, Kaëasaki Kisen Kaisha dhe Mitsui OSK Lines thonë se po pezullojnë anijet e tyre përmes Detit të Kuq “për të mbrojtur sigurinë e ekuipazheve”, në një lëvizje që përshkallëzon më tej shqetësimet rreth rritjes së çmimeve për Evropën..
Sulmet nga rebelët shiitë Houthi të mbështetur nga Irani kundër anijeve tregtare janë shtuar javët e fundit midis Afrikës dhe Jemenit. Rreth 12 për qind e tregtisë detare zakonisht kalon nëpër ngushticat e Bab al-Madeb, të cilat kontrollojnë hyrjen në Detin e Kuq, por që nga mesi i nëntorit numri i kontejnerëve ka rënë me 70 për qind, thonë ekspertët e transportit.
Kompanitë e mëdha tani shmangin Detin e Kuq dhe dërgojnë anijet e tyre në rrugën alternative rreth Afrikës, e cila është më e gjatë dhe më e kushtueshme. Kompanitë e transportit bënë rritje të konsiderueshme të çmimeve për të mbuluar kostot që lidhen me krizën.
Kostoja shtesë për sa i përket karburantit është rreth 20%, sipas platformës logjistike Container xChange, e cila vlerëson se kriza e Detit të Kuq do të rrisë kostot e transportit me 60%, me një shtesë prej 20% për mbulimin e sigurimit të pronarëve të anijeve.
Kjo krijon spektrin e një inflacioni të ri. Prandaj gjithçka do të varet nga sa do të zgjasë kriza. “Të lundrosh në Afrikë dhe të mos kalosh përmes Kanalit të Suezit është më e shtrenjtë dhe një distancë më e gjatë. Por për momentin është më shumë një problem sigurie sesa një problem logjistik”, tha dje, të martën, Siegfried Rushburm, president i BDI, shoqata e industrive gjermane.