Rreth 11 fëmijë janë prekur nga fruthi, ndërsa saktësohet se rastet me fruth ndodhen në Tiranë dhe në Durrës. Nisur nga kjo situatë vaksinimi në kohë për fëmijët është shumë i rëndësishëm. Mjekët pediatër apelojnë prindërit për vaksinimin në kohë të fëmijëve të tyre me vaksinën kundër fruthit, rabeolës dhe shytave.
“Gjatë praktikës së punës së përditshme te konsultori i fëmijës, ne si mjekë pediatër, por edhe punonjësit e tjerë shëndetësorë që janë dhe infermieret tona, në të përditshmen tonë kemi si detyrë të punës sonë të bindim dhe të ndërgjegjësojmë prindërit që të sjellin fëmijët pranë konsultorit tonë, për të bërë vaksinimin e përcaktuar nga kalendari kombëtar i vaksinimit, dhe në veçanti vaksinën që mbron nga fruthi, rubeola dhe shyta. Kjo është një vaksinë shumë e rëndësishme që u jep mbrojtje gjatë gjithë jetës fëmijëve.
Prindër të dashur, duhet patjetër t’i vaksinoni fëmijët tuaj për mbrojtjen nga sëmundjet e fruthit, rubeolës dhe shytave përveç edhe vaksinave të tjera që kryhen rregullisht. Kjo është një ndër vaksinat që prindërit hezitojnë të vijnë në kohën e duhur apo nga informacionet e gabuara, kërkojnë që të shtyjnë afatin kohor të kryerjes së kësaj vaksine”, shprehet mjekja pediatre Melida Agastra.