Partitë e ekstremit të djathtë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) vazhdojnë të kenë rritje në mbështetjen e qytetarëve dhe pritet që të kenë sukses të konsiderueshëm në zgjedhjet e ardhshme evropiane që zhvillohet në 27 vende anëtare të bllokut mes 6 dhe 9 qershorit të këtij viti. Këtë e ka pohuar në një analizë së fundi Këshilli Evropian për marrëdhënie të jashtme (ECFR), një grup hulumtues që përgatit analiza politike.
Sipas anketave të fundit të matjeve në mesin e votuesve në vendet e BE-së, pritet që partitë e së djathtës ekstreme të shënojnë rritje të konsiderueshme të votave dhe si pasojë edhe të numrit të deputetëve në Parlamentin e ardhshëm Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2024, në krahasim me numrin që aktualisht e kanë. Nga ana tjetër, pritet që partitë e qendrës së majtë të kenë rënie dhe të humbasin vota.
Por, diplomatët në BE janë të mendimit se është herët të parashihet për ndikimet që do të kenë ndryshimet në Parlamentin Evropian (PE) në zhvillimet në BE, pasi koalicionet mes grupimeve politike në PE dallojnë prej atyre në nivele nacionale dhe nuk kanë një model të caktuar.
Prej kur ekziston PE-ja gjithmonë ato që quhen “grupi i qendrës pro-evropiane” kanë pasur shumicën e mjaftueshme për të caktuar agjendën dhe për t’i kaluar vendimet në këtë institucion të BE-së. Në atë grup, hyn Partia Popullore Evropiane (EPP) nga qendra e djathtë që ka numrin më të madh të vendeve. Pastaj, socialdemokratët (S&D) që janë grupi i dytë dhe atyre u janë bashkuar edhe deputetët e grupit liberal. Por, si parti pro-evropiane mund të quhen edhe të gjelbrit.