Një automjet është gjetur i shkrumbuar në një rrugë dytësore në mbrëmjen e së shtunës në fshatin Grudë të Shkodrës.
Mësohet se makina e djegur është pa targa ndërsa iu është hequr edhe numri i shasisë.
Në vendi ku u gjet mjeti raportohet se nuk ka pothuajse fare lëvizje.
Dyshohet se zjarri në automjet ka qenë i qëllimshëm.
Sipas hetimeve paraprake, makina është braktisur në zonë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët pasi i kanë vënë flakën me benzinë janë larguar nga vendngjarja.
Grupi hetimor po punon për gjetjen e numrit të shasisë së automjetit në pjesë të tjera për të arritur për të identifikuar se kush e ka patur në pronësi.
Deri më tani mbetet e paqartë se kush e ka djegur makinën dhe se pse iu është vendosur flaka.
Ndërkohë forcat e policisë po hetojnë çdo pistë të mundshme nëse kjo makinë mund të jetë përdorur për ndonjë ngjarje kriminale.