Gjykata Kushtetuese ka vendosur pas 6 orësh diskutime mbi fatin e HEC-it të Skavicës. Disa shoqata kundërshtuan projektin e qeverisë mbi ndërtimin e hidrocentralit. Por derisa për momentin nuk ka asnjë projekt final apo që të ketë nisur puna nuk ka se çfarë të anulojë.
E ndërsa studimi i fizibilitetit vazhdon, gjykata ka gjetur një shkelje. Sipas saj, komuniteti nuk është konsultuar për HEC-in. Në këtë mënyrë detyron organet kompetente që të pyesin banorët.
“Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore” thotë gjykata.
“Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,
Vendosi:
1) Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.
2) Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.
3) Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit” mbyllet njoftimi.