Shatërvanë llave që u ngritën 50 metra në ajër shoqëruan me pamje spektakolare, por edhe frikësuese njëkohësisht shpërthimin e tretë vullkanik që nga muaji dhjetor në Islandën jugperëndimore.
Pamjet nga gadishulli Reykjanes treguan lumenjtë e masës së shkrirë të zbrisnin nga një e carë toke 3 kilometra e gjatë. Qyteti më i afërt, Grindavik, ishte evakuuar tashmë gjatë shpërthimit të fundit më 14 janar, por shpërthimi i fundit ka detyruar largimin e menjëhershëm të personave të mbledhur në banjën e njohur gjeotermale Blue Lagoon.
Autoritetet vendase thanë se shpërthimi i fundit vullkanik ndodhi në të njëjtën zonë ku u regjistrua ai i 18 dhjetorit.