Gazment Bardhi: Është një lajm i mirë që pas pesë muajsh rezistencë të opozitës, mazhoranca ka reflektuar dhe ne kthehemi të diskutojmë këto tre cështje në konferencën e kryetarëve. Kemi rënë dakord për parim për ngritjen e komisionit hetimor për kontratat koncesione korruptive në shëndetësi, kemi rënë në parim dakord për hetimin e të dhënave personale të sistemit TIMS. Kemi rënë gjithashtu parimisht dakord që cdo ligj që kërkon 3/5 pa përjashtuar ligjin kryesor të Kodit Zgjedhor të diskutohet në një komision, n/komision, që do të ngrihet në paritet mes grupit të PS-së dhe PD-së me vendimmarrje me konsensusin e të dy palëve dhe që asistohen me ekspertizë ndërkombëtare. Dua të vendos theksin që për opozitën ka qenë gjithmonë gatishmëria për t’u kthyer në normalitet. Ne jemi të interesuar që parlamenti të funksionojë në mënyrë normale, por duhet të plotësohen tre kërkesat; komisionet hetimore, transparencë për reformën zgjedhore apo cdo ligji tjetër me 3/5 dhe marrja e nismave të depozituara nga opozita. Nesër do të mblidhet përsëri konferenca e kryetarëve për këto tre cështje. Kështu që do të duroni deri nesër për të shpallur të zgjidhur ngërcin që është krijuar.