Komisioni Evropian e ka miratuar të martën pasdite edhe zyrtarisht vendimin për të rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, duke konstatuar se ky vend ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve që janë kërkuar.
Vendimi është miratuar në takimin e Kolegjit të Komisionarëve, ndërsa është prezantuar para gazetarëve nga zëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq.
“I kemi rekomanduar Këshillit nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën dhe që të miratojë kornizën negociuese kur Bosnje-Hercegovina të ndërmarrë hapa në përputhje me raportin e Komisionit Evropian“, ka thënë ai.
Ky vendim është paralajmëruar më herët gjatë ditës edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Prej kur i dhamë statusin e kandidatit, Bosnjë e Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës drejt nesh. Më shumë përparim është arritur gjatë pak më shumë se një viti, sesa gjatë një dekade“, ka thënë Von der Leyen, duke i numëruar disa rezultate, përfshirë edhe faktin se Bosnjë e Hercegovina tash e ka nivelin e përshtatjes 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Ndër arritjet e tjera, sipas saj, janë edhe ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, përfshirja e dënimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të krimeve të luftës në Hagë në regjistrin shtetëror të krimeve dhe disa rezultate tjera./REL