Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë pune në Azerbajxhan.
Gjatë kësaj vizite Presidenti Begaj mori pjesë në “Global Baku Forum”, një takim i përvitshëm që mbledh udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota.
“Në këndvështrimin e Shqipërisë, si një aleate e palëkundur në NATO dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, pasojat e këtij konflikti dhe roli ynë në arkitekturën mbarë evropiane të sigurisë, janë thelbësore”.
Shqipëria, e gjendur në udhëkryqin e interesave të mëdha gjeopolitike, është mëse e vetëdijshme për rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit. Rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në BE nuk është vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, reformave ekonomike dhe shtetit të së drejtës, por, gjithashtu, një tregues i qartë i përkushtimit tonë për të kontribuar në mënyrë sa më të efektshme për sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit evropian” theksoi Begaj.
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi: “Stabilizimi i një bote të trazuar nga ndasitë nuk lidhet vetëm me adresimin e sfidave globale, por me humanizmin tonë të përbashkët, vlerat tona të përbashkëta dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Së bashku, ne duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe të promovojmë paqen dhe sigurinë. Udhëtimi ynë i përbashkët drejt shërimit fillon me hapat që ne ndërmarrim pikërisht sot”.
Presidenti Begaj ftoi sipërmarrjen shtetërore dhe atë private të investojnë në Shqipëri.