Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%.
Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se inflacioni do të luhatet në nivelet e 3%.
Sejko deklaroi se punësimi është në rritje si edhe pagat.
“Projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Përditësimi i parashikimeve sugjeron se vëllimi i aktivitetit ekonomik do të rritet më tej, ndërsa inflacioni do të luhatet pranë objektivit tonë prej 3%.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të shpejtë gjatë dy muajve të parë të vitit. Më konkretisht, inflacioni ra nga niveli mesatar prej 3.9% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, në nivelin mesatar prej 3% në muajt janar – shkurt të vitit aktual. Kjo rënie pasqyroi reduktimin e shpejtë të inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë u shfaq më i qëndrueshëm.”