Papa Françesku u shfaq i lodhur në meshën e kësaj të diele në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan duke ngritur shqetësim tek miliona besimtarë katolikë në mbarë botën për gjendjen shëndetësore të Atit të Shenjtë.
Papa Francesku nuk lexoi lutjen që kishte përgatitur për meshën e të Dielës së Palmës. Në fund të leximit të Ungjillit u mbajt një moment heshteje, pastaj menjëherë Kredoja pa lutjen e Atit të Shenjtë.
Kjo është hera e parë që një Papë nuk bën lutjen e të Dielës së Palmës.Në meshën e kësaj të diele në Vatikan ishin të pranishëm 30 kardinalë, 20 peshkopë dhe 350 priftërinjtë. Në sheshin e Shën Pjetrit ishin mbledhur edhe 25 mijë besimtarë.
Në fjalën e tij, Ati i shenjtë deklaroi se lutet për viktimat e sulmit terrorist që ndodhi në Moskë ndërsa bëri thirrje që të mos harrohet Ukraina dhe gjendja e vështirë në të cilën ndodhen civilët e pafajshëm atje si pasojë e mungesës së energjisë elektrike nga sulmet e fundit që kanë ndodhur atje.
Përgjatë viteve të fundit, Papa Francesku ka vuajtur nga një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë këtu ftohjen dhe gripin por gjithashtu edhe problemet me gjurin apo ndërhyrjet e tij kirurgjikale abdominal për shkak të problemeve me zorrët.