Ekspertët e mbrojtjes kanë folur për CNN nëse dhe si Izraeli mund t’i përgjigjet sulmeve të kësaj fundjave nga Irani. Michael Oren, ish-ambasador izraelit në Shtetet e Bashkuara, i tha CNN se “rregullat duhet të ndryshohen” pas sulmit të së shtunës mbrëma.
“Do të varet kryesisht nga shkalla e dëmit të shkaktuar nga kjo valë e parë e dronëve dhe raketave iraniane të lundrimit” tha Oren. “Por në çdo rast, ne jemi në Lindjen e Mesme dhe presioni dhe parandalimi numërohen shumë këtu. Nuk mendoj se Izraeli mund të goditet në këtë mënyrë në një shkallë kaq masive dhe të mos përgjigjet në një mënyrë domethënëse”.
Eyal Hulata, një ish-këshilltar izraelit për sigurinë kombëtare, tha se hakmarrja ushtarake nuk është përgjigja e vetme në dispozicion, duke shtuar se sanksione të mëtejshme ndërkombëtare kundër Iranit mund të jenë të mundshme. “Një përgjigje ushtarake nuk është e vetmja gjë që duhej të ndodhte që këtu e tutje”.
SHBA njoftoi sanksione ndaj Iranit në shkurt duke synuar një sërë nismash keqdashëse iraniane, duke përfshirë luftën kibernetike dhe programet e tyre me dron.
Irani ka qenë nën një mori sanksionesh ndërkombëtare për vite të tëra, të cilat kanë goditur ekonominë e vendit. Por ato kanë pasur ndikim të kufizuar në ndryshimin e qasjes së qeverisë ndaj Izraelit dhe Lindjes së Mesme më gjerë.