Një sfidë spektakolare ishte ajo midis Sassuolos dhe Milanit, me gola dhe emocione por në fund pa fitues.
Dy ekipe me objektiva komplet të kundërt, Sassuolo në luftë totale për mbijetesë dhe Milani që kërkon të blindojë vendin e dytë në renditje. Madje për çështje krenarie kërkon gjithnjë e më shumë të shtyjë festën e Interit, që këtë sezon ‘Serie A-n’ e ka pasur në ‘xhep’.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe u zhbllokua pas katër minutash. Pinamonti dërgoi topin pas shpinës së Sportiellos, duke ndezur festën vendase në shkallët e stadiumit Reggio Emilia.
Ekipi i Ballardinit, falë një zbritje të shpejtë realizoi edhe golin e dytë në minutën e 10-të. Një finalizim perfekt i Lauriente, i cili gjeti sërish të papërgatitur mbrojtjen kuqezi.
Djemtë e Piolit shkurtuan diferencat me Chukëueze në të 18-tën minutë, por goli i sulmuesit u konsiderua pozicion jashtë loje. Pak më vonë, Leao vallëzoi në zonë dhe me një të djathtë tokazi rihapi llogaritë e këtij takimi. Milan shtoi presionin në fundin e pjesës së parë, pa mundur dot të vendosë ekuilibrat.
Mesfushori francez Lauriente u shfaq protagonist përsëri në minutën e 53-të, duke kompletuar dopietën personale. Stefano Pioli nuk kishte asgjë për të humbur, aktivizoi kartën Oliver Giroud në të 55-tën, me sulmuesin francez që i mori vendin Musah.
Milan gjeti forcën për të barazuar. Jovic u harrua në zonë në minutën e 59-të, me sulmuesin serb që nuk fali para portës. Goli i 3-3 mban firmën e Okafor, i cili përfitoi edhe nga një rrëmujë në zonë.
Asnjë minutë për Bajramin dhe Kumbullën, që shijuan këtë ndeshje nga pankina. Milan ka grumbulluar 69 pikë, duke konsoliduar pozitat në vendin e dytë. Në krahun tjetër, Sassuolo e vendit të parafundit merr një pikë shprese për mbijetesën.