Ditën e djeshme deputetët e PS bojkotuan Komisionin e TIMS-it, për këtë nënkryetari Toni Gogu dha një reagim ditën e sotme duke u shprehur se ky veprim erdhi pasi sipas tij u shkel ligji.
Kryetari i Komisionit Hetimor për TIMS-in, Ervin Salianji i është përgjigjur akuzave të deputetit socialist, duke thënë se Gogu kërkoi 5 minuta pushim dhe pas asaj nuk u kthye më në komision, por u larguan si mjeranë.
Salianji shprehet se socialistët ‘dolen zbuluar si një shumicë parlamentare që bojkoton komisionin hetimor vetëm sepse nuk do të lejojë pyetjet e ekspertëve dhe deputetëve drejtuar institucioneve!’
“Komisioni Hetimor nuk është çartje të marrësh!
E pangjarë që një shumicë parlamentare të bojkotojë parlamentin dhe komisionin, e pandodhur që deputetë të zgjedhur nga qytetarët, që janë betuar mbi Kushtetutë, të behen haptazi mbrojtës të krimit dhe të paligjshmërisë!
Dje nën dritën e kamerave të Komisionit Hetimor Parlamentar për TIMS, nënkryetari kërkoi pushim 5 min, duke fshehur synimin mjeran, që ishte largimi e braktisja e ballafaqimit, tipike si e keqbërësve që kanë ndërhyrë në TIMS. Iken duke shkelur ligjin dhe pa i dhënë asnje shpjegim as votuesve të vet as publikut për të habitshmin veprim.
Dolen zbuluar si një shumicë parlamentare që bojkoton komisionin hetimor vetëm sepse nuk do të lejojë pyetjet e ekspertëve dhe deputetëve drejtuar institucioneve! Një shumicë e kapur ngushtë e në zullum, që ben gjithçka për te penguar transparencen.
Çfarë halli mund të kenë deputetë të Republikës që flakin dinjitet e ligj vetëm e vetem se duan të ndalojnë hetimin parlamentar për një dukuri që ka shqetësuar qytetarët dhe partnerët e Shqipërisë, e ka cenuar sigurinë kombetare” thuhet në reagimin e Salianjit.