Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet ose rrezikon të përballet me një “perde të re të hekurt” përgjatë krahut të tij lindor, tha të hënën presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ndërkohë që blloku shënon 20 vjet nga zgjerimi i tij më i madh që ka bërë ndonjëherë.
“Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim (ekziston) një rrezik për një perde të re të hekurt,” tha Michel në një intervistë me një grup të zgjedhur gazetarësh.
“Do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme nëse do të kishit një fqinjësi të paqëndrueshme me mungesë prosperiteti ose mungesë zhvillimi ekonomik.
Këto janë interesat tona të përbashkëta – të vendeve kandidate dhe BE – të bëjmë përparim, të përshpejtojmë,” shtoi ai.