Vetëm disa muaj para se të bëhet një çerek shekulli si udhëheqës i Rusisë, Vladimir Putin, të martën, më 7 maj, do të vendosë dorën mbi një kopje të Kushtetutës dhe do të nisë një mandat tjetër gjashtëvjeçar si president me fuqi të jashtëzakonshme.
Që kur u bë president në detyrë në ditën e fundit të vitit 1999, Putin e ka formësuar Rusinë në një monolit – duke shtypur opozitën politike, duke dëbuar nga shteti gazetarët e pavarur dhe duke promovuar një përkushtim në rritje ndaj “vlerave tradicionale” që shumë pjesëtarë të shoqërisë i shtyjnë në limite.
Ndikimi i tij është aq dominues sa zyrtarët e tjerë qëndruan jashtë vendimmarrjes kur ai vendosi të niste luftën kundër Ukrainës, pavarësisht pritjeve se pushtimi i shtetit fqinj do të sillte përbuzje ndërkombëtare dhe sanksione të ashpra ekonomike, si dhe që Rusia do të paguante çmim të lartë me gjakun e ushtarëve të saj.
Me këtë nivel pushteti, çfarë do të bëjë Putini me mandatin e tij të ri është pyetja më e rëndësishme që bëhet brenda Rusisë dhe jashtë saj.
Lufta në Ukrainë, ku Rusia po shënon përparim në fushëbetejë, është shqetësimi kryesor dhe Putini nuk po shfaq asnjë shenjë se do të ketë ndryshim të kahes.
“Lufta në Ukrainë është në qendër të projektit aktual politik të tij dhe nuk shoh asgjë që sugjeron se kjo do të ndryshojë. Dhe kjo ndikon te të gjitha gjërat e tjera”, tha për Associated Press, Brian Taylor, profesor në Universitetin Syracuse dhe autor i librit “Kodi i Putinizmit”.
“Ndikon se kush është në çfarë pozicioni, ndikon në burimet që janë të disponueshme dhe ndikon në ekonomi si dhe në nivelin e represionit brenda shtetit”, shtoi ai.
Për më shumë kliko KËTU