Një situatë aspak e mirë për Jasir Asanin, sulmuesi nuk do të luaj asnjë ndeshje të paktën deri në fillimin e Europianit. Gjërat duket se janë serioze, kjo është ajo që kuptohet dhe nga deklaratat e trajnerit të klubit ku ai luan.
Li Jung Ho e ka aktivizuar vetëm 8 minuta këtë kampionat Asanin, ndërkohë para gazetarëve ai është shprehur se Jasiri ka shtuar peshë: “Ai ka shtuar shumë peshë dhe s’është mjaftueshëm i mirë në stërvitje.
Edhe nëse humbim 10 ndeshje radhazi, Asani përsëri nuk do të luajë me performancën që jep në stërvitje, për sa kohë që unë të jem ende trajner”. Ylli kuqezi i eliminatoreve të Shqipërisë sezonin e kaluar shënoi 7 gola dhe 3 asistime në 33 ndeshje të kampionatit, ndërsa këtë vit ka parë vetëm pak minuta në fushë. Trajneri, duke folur për gazetarët, ka vënë në pikëpyetje vendin e tij në Kombëtaren shqiptare.
“Ai s’luan sepse performanca aktuale është e dobët. Gabriel ka luajtur mirë. Nuk e di pse është përzgjedhur Asani nga Kombëtarja shqiptare. Trajneri i Kombëtares shqiptare duhet të mendojë për zgjedhjen e tij”, u shpreh pak kohë më parë trajneri i Guangjusë.