Mediat në Shkup shkruajnë se vazhdojnë negociatat mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN për qeverinë e re.
Burimet tregojnë se VLEN do të ketë deri në 30% të pushtetit, përfshirë këtu edhe postin e kryetarit të Kuvendit edhe pse një gjë e tillë ende nuk është definuar.
Sipas burimeve, dy kandidatët e mundshëm të VLEN-it për këtë post janë kryetari i Alternativës Afrim Gashi dhe Halil Snopçe nga ASH krahu i Taravarit.
Mes dy koalicioneve është biseduar ideja që për rastet që konsiderohen si raste të montuara tek shqiptarët si rasti “Alfa” dhe “Monstra” si kërkesë e VLEN, dhe bashkë me rastin e “27 prillit” si kërkesë e VMRO-së, të gjendet zgjidhje ligjore që të dënuarit të lirohen.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se takimi është zhvilluar në drejtim të duhur, ndërsa shtoi se së bashku me VLEN-in do të synojnë të konsolidojnë 2/3 në Kuvend, 80 deputetë.