“Këtij vendi i kemi thënë Lugu i Unazës”, kujton Ylber Hoxha teksa ngjitet rrëzë bjeshkës në fshatin Shalë të Lipjanit.
Gjashtëdhjetëvjeçari thotë se deri në vitet e fundit, kjo zonë ishte vendi ku dilte për të ecur e marrë ajër të pastër.
“Tani nuk ke se çfarë merr, vetëm pluhur”, thotë ai, duke drejtuar gishtin kah një pjesë e malit që është gërryer dhe nga ku po nxirret guri si material i parë ndërtimor.
Puna e kompanisë gurthyese po e pengon Ylberin, pasi, sipas tij, po shkakton ndotje dhe pasiguri meqë është afër vendbanimit.
“Këtu nuk ka siguri, është në rrënjë të rrugës. Më të rrezikuar jemi nga lagjja jonë. Ka detonim”, tregon ai.
Ylberi me bashkëfshtarë kishin protestuar disa herë për të kundërshtuar punën e gurthyesit por, siç thotë, pa sukses.Feim Hoxha, pronar i kompanisë Arbëria Turist, që po punon në atë zonë, i mohon akuzat e banorëve.Ai thotë se për operimin e tij është i pajisur me leje mjedisore dhe leje për shfrytëzimin e mineraleve apo gurit në këtë rast. Ai insiston se nuk i ka tejkaluar asnjëherë parametrat e lejuar të punës.
“Një kilometër e gjysmë është larg fshatit. Të gjitha lejet janë. Pa dokumente si mund të punosh. Nuk ka as rrezikshmëri as pengesë, as asgjë”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.Radio Evropa e Lirë ka parë në të dhënat publike të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale (KPMM) se kjo kompani ka leje aktive deri më 2025, ndërsa lejet mjedisore që lëshohen nga Ministria e Mjedisit, nuk janë publike.
Aktualisht, numri i kompanive që bëjnë nxjerrjen e gurit në Kosovë nuk dihet saktësisht.
Megjithatë, gjurmët e kësaj industrie vërehen nëpër shumë bjeshkë të Kosovës./REL