Reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar gjatë gjithë natës në qytetin e Prishtinës, duke shkaktuar problematika të shumta në disa lagje.
Mediat kosovare raportojnë se disa rrugë janë bërë të pakalueshme, duke u zhytur nën ujë.
Një nga zonat më të prekura është rruga “Ali Pashë Tepelena,” e cila është shndërruar në një “lumë” për shkak të sasisë së madhe të ujit.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kjo rrugë përmbytet gjatë reshjeve intensive.
Situatë e ngjashme është edhe në rrugën A”, e cila është duke u ndërtuar, por reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugës.
Po ashtu, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata është e vështirë nga vërshimet edhe në lagjen Emshir.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë gjithë javës së ardhshme vendi do të vazhdojë të përballet me reshje të dendura shiu.