Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut prej javësh po ruan një stabilitet të pazakontë në raport me tendencat e viteve të fundit.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, ditën e mërkurë euro u këmbye me 100.32 lekë, që përfaqëson nivelin më të ulët historik të kursit të këmbimit mes dy monedhave.
Megjithatë, që prej fillimit të muajit maj, luhatjet e kursit kanë qenë të vogla dhe ritmi i zhvlerësimit të euros është frenuar ndjeshëm.
Ky stabilitet nuk është shumë tipik për këtë periudhë të vitit, kur shtimi i flukseve valutore nga turizmi në përgjithësi sjell një forcim të mëtejshëm të monedhës vendase.
Sipas burimeve nga tregu valutor, stabilizimi i kursit pranë nivelit të 100 lekëve i detyrohet vetëm ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që po blen rregullisht valutë, me qëllim për ta mbajtur artificialisht kursin në këto nivele.
Me sa duket, për momentin banka qendrore nuk dëshiron të lejojë rënien e kursit poshtë nivelit të 100 lekëve, që në njëfarë mënyrë përfaqëson edhe një kufi të rëndësishëm simbolik dhe psikologjik.
Sipas aktorëve të tregut valutor, flukset valutore në treg janë të larta dhe në mungesë të ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë, euro do të kishte zbritur patjetër poshtë kufirit të 100 lekëve.
Ligjërisht, Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Megjithatë, në raste të veçanta Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në kursin e këmbimit, për të shmangur çregullimet në tregun valutor ose kur një ndërhyrje e tillë mund të justifikohet në funksion të objektivit të inflacionit.
Në fakt, prej muajsh inflacioni ka ardhur në rënie të vazhdueshme dhe në muajin prill të këtij viti zbriti në 2.1%, niveli më i ulët në pothuajse tre vjet. Për më shumë kliko KËTU