Këshilli i Lartë i Prokurorisë u përfshi në debate të ashpra të hënën, kur u mblodh të diskutohej mbarimi i mandatit të Alfred Ballës si anëtar i KLP-së, pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e përjashtoi atë për 15 vjet nga institucionet e drejtësisë. Balla u përjashtua pasi sipas KPA ai iu shmang procesit të rivlerësimit.
Por ndërsa dukej si procedurë rutinë, pasi 4 anëtarë të KLP-së kanë pasur të njëjtin fat më herët, mbledhja u bë arenë debati.
Anëtarja e joprokurore Nurihan Seiti, sulmoi zëvendëskryetarin Tartar Bazaj dhe prokurorin Sokol Stojani se po nxitonim të shtynin Ballën jashtë sistemit. Seitaj paraqiti kërkesa në KLP që siç u kuptua vinin nga Balla dhe kërkoi përjashtimin e zëvendëskryetarit Bazaj, të cilin e akuzoi për konflikt interesi. Ajo pretendoi se Balla nuk duhej të drejtonte mbledhjen. Ndërsa ngriti aludime se kjo ishte një situatë që kishte filluar në Romë gjatë një vizite zyrtare të KLP.
“Kjo ka filluar që në Romë”, bërtiti Seitaj, ndërsa shtoi: “Pse po nxitoni, ç’është gjithë ky nxitim?!”.
Ndryshe nga Seitaj, anëtarët e KLP-së, Bazaj dhe Stojani paraqitën argumente Kushtetuese për mbarimin e mandatit të Alfred Ballës.
Stojani tha se mandati i Ballës kishte mbaruar menjëherë pas shpalljes së vendimit nga KPA. Ai arsyetoi se KLP vetëm bënte konstatim të këtij mbarimi. Stojani theksoi se ndërhyrjet e Ballës përmes emailit zyrtar, thirrja prej tij e një mbledhje me axhendë të ndryshme dhe kërkesat e tij duhej të konsideroheshin nul.
Anëtarë të tjerë të KLP kërkuan kohë që një Komision përkatës të dilte me relacion. Por edhe kjo pikë u debatua, pas kërkesës për ta shtyrë këtë vendim për ditën e martë. Më pas mbledhja u ndërpre pa një afat./BIRN