Prokuroria e Shkallës së Parë në Tiranë ka ekzekutuar disa masa sigurie në kuadër të operacionit “Decevier”.
Në kërkim është shpallur Ledio Vrapi 34 vjeç, banues në Gjermani, për të cilin është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Ai dyshohet se ka mashtruar persona të ndryshëm duke ju thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit shtetas nga 50 000 lekë si shpërblim.
Gjithashtu është përfshirë dhe noterja M. D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata.
Në përfundim të këtyre veprimeve, nga ana e punonjësve të institucionit financiar, konkretisht L. N., (përgjegjëse zyre) L. P., dhe E. A., (oficerë kredie), janë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.