Pushteti vendor, duke qenë më afër komunitetit, është ofruesi më i madh i shërbimeve sociale për grupe të caktuara të popullsisë sidomos ato në nevojë.
Ndërsa popullsia shqiptare po moshohet me shpejtësi, Shqipëria po përballet me një sfidë të afërt për të siguruar shërbime të kujdesit afatgjatë të përballueshëm dhe cilësor për të gjithë të moshuarit në nevojë.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri referojnë se rreth 100 mijë persona të moshuar mbi 65 vjeç kanë nevojë për kujdes, por sistemet ekzistuese të pushtetit vendor përmbushin nevojat vetëm për 1.6% të të moshuarve që kanë nevojë për kujdes marrin shërbime të kujdesit social.
Numri i të moshuarve që kanë nevojë për kujdes pritet të rritet më tej në vitet në vijim, sipas Kombeve të Bashkuara. Deri në vitin 2032 do të kenë nevojë për kujdes nga të tjerët mbi 130 mijë të moshuar dhe 160 mijë deri në vitin 2040.
Të moshuarit që jetojnë vetëm në zonat rurale dhe të largëta janë veçanërisht të pambrojtur.
Vlerësohet se 46.0% e popullsisë së moshës 65 vjeç e lart jetojnë në zonat rurale. Ata nuk jetojnë me anëtarët e familjes për t’u kujdesur për ta, as nuk kanë akses në ndonjë formë shërbimi formal të kujdesit afatgjatë, përkujdesje rezidenciale, përkujdesje në shtëpi apo shërbime komunitare.
Të moshuarit në zonat rurale gjithashtu përballen me disavantazhe në pensione, akses në kujdesin shëndetësor dhe programe të tjera të mbrojtjes sociale.
Një analizë e Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD) gjeti se në 7 bashki, përkatësisht në Libohovë, Këlcyrë, Dropull, Memaliaj, Mirditë, Fushë-Arrëz, Himarë nuk ofrohet asnjë shërbim për asnjë grup. (Lexo KETU shkrimin e plote).