Nuk kanë fund denoncimet e Partisë Demokratike kundër qeverisë Rama. Ditën e sotme kreu i FRPD, Besard Xhaferri akuzoi se koncesionari i check up ka marrë nga qeveria Rama më shumë se 192 milionë lekë të reja për analiza të pakryera. Komisioni hetimor vazhdon punën por produkti konkret është ende larg për koncesionet në shëndetësi.
“Koncesionari i check up ka marrë nga qeveria Rama më shumë se 192 milionë lekë të reja për analiza të pakryera, e kjo vetëm në një vit sipas një raporti të KLSH.
Kjo dëshmon gjenocidin që ka kryer Rilindja mbi paratë e destinuara për shëndetësinë, që kanë shkuar për koncensione korruptive, duke sjellë gjenocid në jetët e shqiptarëve.
Kur lexova këto shifra që janë vetëm maja e ajsbergut sa i përket korrupsionit në këtë sektor jetik për shoqërinë, ndërmend më erdhën ata mijëra qytetarë që çdo ditë në rrjete sociale bëjnë apel për kurim jashtë vendit përmes shoqatave humanitare, pasi spitalet tona publike nuk ofrojnë shërbime për shumë operacione, duke nisur nga ato të thjeshtat deri tek ato të komplikuarat.
Ndërmend më erdhën jetët e humbura të vogëlushit Kristi Maze dhe adoleshentit Floristel Gjata, për të cilët Ministria e Shëndetësisë, nuk alokoi fondet në kohë për kurim jashtë vendit pasi fondet ishin çuar për mobilim zyrash.
Ajo çfarë Edi Rama ka bërë me shëndetësinë në këtë vend është kriminale dhe e paprecedentë, në kufirin e vrasjes masive në emër të babëzisë” tha ai.