Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu njoftoi sot se ka nisur një hetim administrativ për skandalin tek spitali Onkologjik.
“Para se të ndaj lajmin e rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët nuk mund të lë pa përmendur trazimin që solli ngjarja në QSUT. Korrupsioni është vija e kuqe ndarëse për këdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme.
Ne kemi nisur një hetim administrativ, i kërkoj prokurorisë që t’i shkojë deri në fund. Hetimi administrativ që ne kemi nisur bashkë me strukturat e brendshme do të trajtojë shumë aspekte të organizimit dhe punës.
Është e papranueshme që mjeku, figura më e lartë të trajtojë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës. Do të ndryshojmë ligjin për urdhrin e mjekut për të vendosur edhe aty sanksione të forta” tha ajo.
Njoftoi edhe rritjen e pagave. “Vendimi i sotëm rrit pagat për punonjësit e shëndetësisë. Me këtë vendim rrisim pagën me 20 mijë lekë mbi pagën ekzistuese për mjekët dhe 15 mijë lekë për infermierët. Nga vendimi i sotëm përfitojnë 20 mijë mjekë, infermierë dhe punonjës të sistemit shëndetësor” tha ajo.