Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji doli në një deklaratë për mediat për skandalin në spitalin Onkologjik të Tiranës, ku mjekë, infermierë, apo punonjës, abuzonin me medikamentet për të sëmurët me kancer dhe i detyronin të mjekoheshin tek privati.
“Shqiptarët kanë mësuar të tronditur nga publikimet në media të vërtetën rrëqethëse dhe shokuese të shëndetësisë në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, e cila kalon përmasat thjeshtë të një abuzimi të disa mjekëve dhe stafit mjekësorë në bashkëpunim me subjekte private të fushës së shëndetësisë.
Jeta dhe fati i mijëra qytetarëve shqiptarë të diagnostikuar me sëmundje tumorale, shpesh terminale, në vend që të gjenin një trajtim dinjitoz shëndetësor publik, në fakt janë përballur me një abuzim c’njerzor, duke u trajtuar si plackë për përfitime financiare midis stafit shëndetësor, drejtueseve të institucionit, klinikave private dhe firmave farmaceutike klienteliste. Rastet e mjekëve që bëjnë biznes me jetën e pacientëve janë të rënda, kriminale. Çdo shkelje e etikës, çdo abuzim me bluzën e bardhë, me betimin e Hipokratit, është e dënueshme.
Zemërata e qytetarëve pas daljes në media të bisedave, pjesë e dosjes penale, është e kuptueshme. Organet e drejtësisë do të duhet të thellojnë hetimet tek Spitali Onkologjik dhe në të gjithë rrjetin e shërbimeve shëndetësore. Megjithatë, nuk mund të njollosen te gjithë mjekët e puna e tyre shpesh në kufinjtë e sakrificës njerëzore.
Por nga ana tjetër cdo bluzë e bardhë që abuzon me detyrën, do të duhet të përballet me forcën e pamëshirshme të ligjit. Rasti i personelit shëndetësor tek Onkologjiku nuk mund të trajtohet si një rast izoluar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe të gjitha institucionet përgjegjëse vartëse do të duhet të mbajnë përgjegjësi” tha ajo.