Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot për të dhënat që u publikuan nga Censi i popullsisë.
Sipas tij gjatë qeverisjes së Ramës janë larguar 40% e shqiptarëve.
Berisha:Të dashur miq, edhe njëherë do rikujtoj për çdo shqiptar, shifrat që jep institucioni evropian i statistikave për shqiptarët që janë larguar nga vitit 2014 gjer në vitin 2022, pra në një hark kohor 8-vjeçar nga Shqipëria.
EUROSTAT ka gjetur se në hapësirën e Shengenit janë larguar nga Shqipëria, shtetas shqiptar, 981.565 qytetarë, nga të cilët sipas EUROSTAT, 191.670 kanë kërkuar azil politik.
311.650 qëndrojnë si ilegalë në hapësirën e Shengenit, kurse 478.245 kanë fituar dokumente të rregullta.
Por këto shifra nuk përfshijnë emigracionin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe, vend në të cilin vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 46.000 qytetarë.
Dhe së bashku këto bëjnë 1.121.565 shtetas shqiptarë, 36.3 përqind të popullsisë.
Por përsëri këtu nuk janë përfshirë 42.650 qytetarë shqiptarë që sipas statistikave të SHBA janë larguar me Kartën Jeshile për në këtë vend, duke e rritur kështu në 37.8 përqind e popullsisë nga Shqipëria. Në 8 vite.
Por këtu përsëri nuk përfshihen mijëra qytetarë shqiptarë që emigruan nga SHBA nga kufiri i Meksikës. Nuk përfshihen të tjerë që emigruan në Kanada, Norvegji, Australi, vendet e Gjirit Persik.
Pra miq, largimi i shqiptarëve, boshatisja e shqiptarëve nga viti 2014-2022 arrin përafërsisht në 40 përqind të shqiptarëve në Shqipëri.
Kjo shifër përputhet me shifrën që jep Ministria e Arsimit, e cila thotë se nga viti 2013 gjer në vitin 2023, numri i maturantëve u ul gjithsej në 28 mijë maturantë, apo 34 përqind më pak se sa 10 vite më parë.