Pas 9 vitesh është rikthyer dosja e Tom Doshit, ku Durim Bami tashmë i arrestuar në Dubai thotë se ish-deputeti dhe kryetari i PSD-së e pagoi që të akuzonte Ilir Metën për atentat.
Për këtë proces të shumë viteve më parë që u kthye në kryefjalë dhe çoi drejtuesit më të lartë të shtetit që të dëshmonin, Prokuroria e Tiranës kërkoi nga 1 vit burg për deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin, të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë” për të ashtuquajturin “atentat” ndaj Doshit.
Prokurorja Elsa Miha, kërkoi që Doshi, Frroku dhe Bami të dënohen me nga 1 vit burg për kallëzim të rremë dhe pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit të vendosej përfundimisht në 8 muaj burgim për secilin.
Por çfarë thuhet në dosjen me pretencën e prokurorisë së Tiranës? Në muajin gusht të vitit 2014, i pandehuri Tom Doshi ka qenë jashtë Shqipërisë me pushime, ndërsa ka marrë një telefonatë nga i pandehuri Mark Frroku, i cili i ka kërkuar një bisedë urgjente.
I pandehuri Tom Doshi, sipas prokurorisë i ka shpjeguar se nuk ndodhej në Shqipëri dhe për këtë arsye, ata e kanë lënë takimin, pasi ai është kthyer nga pushimet. Nga aktet e administruara, ka rezultuar se ky takim është zhvilluar nga fundi i muajit gusht 2014, në mjediset e hotel “Sh***” në Tiranë. Në këtë takim, i pandehuri Mark Frroku i ka bërë me dije të pandehurit Tom Doshi se ndaj tij po përgatitej të kryhej një atentat dhe këtë do ta ekzekutonte një shtetas me emrin Durim Bami.
Sipas Mark Frrokut, Durim Bamit i ishte ofruar shuma prej 500 mijë eurosh për të kryer vrasjen. I pandehuri Frroku ka marrë përsipër gjithashtu që ta prezantojë të pandehurin Tom Doshi me personin që do të kryente vrasjen (Durim Bami) me qëllim që ai të mësonte më shumë detaje për rrethanat e kryerjes së këtij atentati.
Me ndërmjetësinë e të pandehurit Mark Frroku, takimi mes tyre dhe Durim Bamit është zhvilluar disa ditë më pas. Lidhur me këtë takim, Tom Doshi ka shpjeguar se Durimi i ka thënë se porosia për të realizuar vrasjen ndaj tij ishte dhënë nga Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet një personi të quajtur F.S. Ky i fundit, administronte një lokal që ndodhej në zonën e “ish-Bllokut”.
Pretendohet gjithashtu që personi tjetër i përfshirë në këtë ngjarje është shtetasi R.S., kushëri i F.S., i cili në periudhën në fjalë ka pasur si detyrë të vëzhgonte lëvizjet e Tom Doshit. Sipas të pandehurit Tom Doshi, gjatë takimeve të mëparshme që ka realizuar me Durim Bamin, me ose pa praninë e Mark Frrokut, Bami ndër të tjera i ka thënë se në muajin qershor të vitit 2014, në afërsi të makinës së tij të parkuar pranë Gjykatës Kushtetuese, këta persona kishin vendosur një motoçikletë, nga ato që përdoren për shpërndarjen e picave, brenda së cilës gjendej një sasi eksplozivi që ishte paracaktuar të shpërthente në kohën që i pandehuri Tom Doshi do të hipte në makinën e tij.
Durim Bami i kishte thënë gjithashtu se ai nuk kishte pranuar që të realizohej shpërthimi, pasi kishte pasur frikë se mos dëmtoheshin edhe persona të tjerë. Në mbështetje të pretendimeve të tij, Tom Doshi ka dorëzuar para Prokurorisë një usb, e cila përmban një regjistrim audio dhe video prej 37 minutash, ku Durim Bami pohon para tij planin si më sipër.
I pandehuri Tom Doshi ka deklaruar gjithashtu se ka parë sasinë e eksplozivit të pretenduar se ishte vënë në motorin pranë makinës së tij, të cilën e ka fotografuar me aparat celular te mjediset e banesës së të pandehurit Durim Bami, e cila ndodhet në zonën e plazhit në Durrës. I pyetur, i pandehuri Mark Frroku ka shpjeguar dhe insistuar se nuk ka asnjë njohje me të pandehurin Durim Bami.
Në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk ka qenë ai që i ka dhënë këtë informacion deputetit Tom Doshi, për më tepër që të ketë prezantuar këtë të fundit me ndonjë shtetas me emrin Durim Bami. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur lidhur me këtë rrethanë edhe i pandehuri Durim Bami, i cili është ndaluar më datë 03.03.2015, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. I pyetur fillimisht si deklarues e mandej nën hetim, i pandehuri Durim Bami ka deklaruar si më poshtë.
Arsyeja e largimit të tij ishte si rrjedhojë e situatës së krijuar në media, ku deputeti Tom Doshi kishte thënë se personi që është paguar nga Ilir Meta për të vrarë atë është filmuar dhe është takuar me ministrin e Brendshëm. Për këtë fakt, atë e ka njoftuar bashkëshortja e tij në telefon që nga jashtë vendit. Ajo e ka sqaruar për të gjitha deklaratat e bëra nga Tom Doshi dhe gazetarë të ndryshëm. Të pandehurin Tom Doshi e ka njohur përmes shtetasit A.Sh., që është nipi i Doshit dhe njëkohësisht edhe njohje e tij e vjetër. Ka qenë i pandehuri Tom Doshi që e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që të pinë kafe te lokali “A****”.
Gjatë bisedës, Tom Doshi i ka thënë që: “Kam qejf të të ndihmoj, por dua edhe ti të më ndihmosh për diçka që unë do të kërkoj”, dhe ai i është përgjigjur: “Nëse është diçka që bëhet, do mundohem që të ndihmoj”. Aty i pandehuri Tom Doshi i ka kërkuar që donte prej tij të bënte të besueshëm faktin sikur atë (Tomën) kanë dashur ta vrasin dhe personi që paguan për vrasjen e tij është Ilir Meta.
Ai ka shpjeguar se i është kërkuar që të bëhej dëshmitar dhe të thoshte në Polici që ai ishte personi i paguar për vrasjen e Tom Doshit. Gjithë kjo situatë, deklaron ai, do të ishte një gjë e sajuar mes Tom Doshit dhe tij. Pasi kanë rënë dakord për ta bërë këtë gjë, Toma i kishte premtuar se do t’i jepte një shumë parash. Shifrën konkrete ai nuk e ka përmendur, por ka thënë se ishte e madhe. Ka qenë Toma që i ka kërkuar të gjente një peron të tretë që do të bënte rolin e porositësit të vrasjes, pra lidhjen mes atij dhe Ilir Metës, pasi vetë Durim Bami nuk njihej me të.
Bami ka menduar se personi më i përshtatshëm ishte F.S., që kishte njohje me të. Po kështu, ka qenë i pandehuri Tom Doshi që i ka ofruar që të sajojnë një video sikur ndaj tij ishin bërë përpjekje për ta vrarë. Ai kishte rënë dakord me Doshin se sajesën e orvatjes së vrasjes së tij, do t’ia shpjegonte edhe ministrit të Brendshëm, në atë kohë Saimir Tahiri, me të cilin rezultoi se është takuar disa herë e në një rast edhe në prani të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së asaj kohe, Artan Didi.
Para ministrit, ai ka pohuar të njëjtat rrethana që ka deklaruar edhe deputeti Doshi, të cilat janë edhe në filmimin e bërë, por edhe pse i është ofruar mbrojtje konform të gjitha rregullave në fuqi, nuk ka pranuar të iniciojë procedurë hetimore, pra të bëjë deklarime para shërbimeve të Policisë Gjyqësore, sepse sikundër shpjegon ai, ajo çfarë ishte regjistruar mes tij dhe Tomës ishte thjesht një sajesë. Ka qenë Tom Doshi që në një nga takimet i ka kërkuar të sajonin sikur ishte përgatitur atentat ndaj tij.
Për këtë, ata do të sajonin sikur ishte vënë një motor me eksploziv te një lokal që është mbrapa dy kullave ku rrinte Toma. Motori do të vihej afër mjetit të Tomës dhe kur ai të dilte, do të realizohej shpërthimi. Për këtë qëllim kanë përfshirë edhe djalin e xhaxhait të F.S., shtetasin R.S.. Motorin e kishin blerë të vjedhur në Paskuqan. Të gjitha këto sajesa do t’i tregoheshin ministrit të Brendshëm, të cilit do t’i thuhej se shpërthimi nuk u realizua, se shoferi gjoja kishte lëvizur motorin, pasi kishte qenë shumë afër makinës së Tom Doshit. I pandehuri Bami ka deklaruar se personat që ai ka implikuar nuk kanë dijeni për këto rrethana.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Bami edhe në pyetjen e tij në cilësinë e të pandehurit, ku ndërsa ka konfirmuar edhe një herë se plani i vrasjes së Tom Doshit është i gjithi një sajesë, e kryer për qëllime të këtij të fundit. Ai hedh poshtë çdo dyshim të ngritur nëse është kërcënuar ai apo familja e tij për qëndrimet e mbajtura në këtë proces, shkruan Panorama.