Numërimi mbrapsht ka nisur, në 11 korrik në mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, duke nisur nga ora 19:00, do të zhvillohet ndeshje e shumëpritur ndërmjet kampionit Nelson Hysa dhe gjermanit Thorsten Fuchs për titullin International (IBO). Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Tiranë do të luhet për titullin kampion Europe në boks, në peshën Zeus të boksit Heavy Wheight!
Interesante është se si Nelson Hysa, ashtu edhe Thorsten Fuchs, vijnë në këtë ndeshje pa asnjë humbje. Rekordi i gjigantit nga Shkodra është 17 fitore në 17 ndeshje në boksin profesionist, prej të cilave 15 me knockout, ndërsa Fuchs ka 13 fitore në 13 takime.
“Pas një karriere shumë të gjatë në sportin olimpik, u ktheva në boksin profesionist. Kam arritur 17 fitore dhe kërkoj të 18-tën përballë Fuchs, në një ndeshje historike për kombin tonë. Dy televizionet më të rëndësishme të boksit në botë, ESPN dhe DAZN, do të transmetojnë direkt nga sheshi “Skënderbej” ndeshjen.
Ndihem i vlerësuar, që për herë të parë në Shqipëri ESPN vjen për të transfemtuar ndeshjen time për titullin e Europës. Pas 24 vitesh, tani kam arritur në kulmin e karrierës time. Luftoj për një titull shumë të rëndësishëm, jam përgatitur shumë për këtë ndeshje. Është një kundërshtar shumë i fortë, por e kam studiuar mirë së bashku me stafin tim, ku bën pjesë trajneri Zef Gjoni, Jetmir Kuçi, i cili është një ndihmë e madhe.
Interesi është shumë i madh për këtë ndeshje nga tifozët. Do të ketë shumë shkodranë që do të vijnë në Tiranë, por nga e gjithë Shqipëria sepse për herë të parë në histori do të luhet për një titull International (IBO)”, tha Nelson Hysa në prag të ndeshjes.