Komisioni Rregullator në KQZ nuk ka miratuar projektvendimin për disa afate procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë.
Projektvendimi mori 3 vota pro dhe 2 kundër, por duhet të merrte një shumicë prej 4 votash për ta miratuar.
Mbledhja u shoqërua me debate mes anëtarëve të Komisionit Rregullator.
Çokaj: Lidhur me aktin që është sjell para komisionit rregullator për zgjedhjet e pjesshme të Himarës që zhvillohen më datë 4 gusht, siç e theksova dhe më parë dhe pasi ma konfirmoi sekretarja e KQZ, më rezulton që akti iniciues që ka çelur siparin e kërkesës së Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të jetë marrë në mungesë të kompetencës për të shqyrtuar pavlefshmërinë e mandatit për një kandidat. Baza ligjore e përdorur nga KQZ është ligji për dekriminalizimin, ndërkohë që ligji për dekriminalzimin bën fjalë për ngjarje dhe situata juridike që do duhet të kenë ndodhur para kandidimit dhe kandidati për bashkinë e Himarës ose si ka bërë të ditura, ose ka qenë në kushtet e ndalimit. Vendimmarrja është e pavlefshme.
Përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji u shpreh se Komisioni Rregullator po tejkalon kompetencat duke gjykuar një vendim të KQZ për heqjen e mandatit dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, duke thënë se janë në kufijtë e shpërdorimit të detyrës.
Salianji: Me atë çka ne gjykojmë, që ka të bëjë me llogaritjen e afateve, jeni jashtë objektit dhe kompetencës që të gjykohet një vendim i komsionerit, jemi në tejkalim të kompetencave. Po diskutojmë afatet, të drejtën e këtij komisioni për të rregulluar organizmin e zgjedhjeve, ku organ s’ka punë fare me diskutim për ligjin e dekriminalizimit.