Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do të hakmerret ndaj kujtdo që tenton të përçajë shoqërinë ruse, teksa lavdëroi efikasitetin dhe besnikërinë e agjencive të zbatimit të ligjit të shtetit të tij.
Putin ka përshkallëzuar shtypjen e shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe opozitës, teksa po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Ukrainë. Kundërshtarët dhe kritikët e Kremlinit ndiqen penalisht dhe dënohen me burgime të gjata.
“Ata që përpiqen të frikësojnë njerëzit, të përçajnë shoqërinë tonë, të luajnë me ndjenjat fetare apo kombëtare, nuk do të kenë kurrë sukses”, tha Putin përmes një video-mesazhi të publikuar nga Kremlini më 25 korrik.
“Ata i pret një hakmarrje e pashmangshme”, shtoi ai.









