Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, sërish ka kritikuar Bashkimin Evropian gjatë një fjalimi në një qytet rumun, ku trumbetoi agjendën e tij nacionaliste, përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes së plotë për ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Në fjalimin e 27 korrikut, që zgjati për pothuajse dy orë e gjysmë, Orban tha se vizita e tij në Rumani ishte pozitive dhe diskutoi me homologun e tij rumun për hekurudhën e re të shpejtë midis Bukureshtit dhe Budapestit dhe për anëtarësimin e Rumanisë në zonën pa viza, Schengen. Aktualisht, regjimi pa viza për Rumaninë vlen vetëm për udhëtimet ajrore dhe detare.
Gjatë fjalimit, Orban preku temat e njëjta që i ka promovuar si kryeministër.
Ai kundërshtoi politikat e disa vendeve perëndimore që promovojnë ose mbrojnë të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve dhe mbështeti, ato që tha se ishin vlera të krishtera.
“Nuk ka moral publik në Perëndim. Këtë mund ta shihnit edhe në hapjen e Olimpiadës së Parisit”, tha ai duke iu referuar ceremonisë hapëse të një ditë më parë.
“Për dallim nga liberalët, ne duhet të ngremë një flamur rreth së cilit mund të mblidhen të guximshmit, nacionalistët dhe të krishterët e rinj”, tha ai.
Orban po ashtu akuzoi udhëheqjen e Bashkimit Evropian për një luftë të vazhdueshme – referencë e dukshme për mbështetjen e fortë të Brukselit për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus. Për më shumë kliko KëTU