Një vatër zjarri është riaktivizuar në fshatin Konisbaltë në Dimal, ku dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht. Vatra e re ndodhet në zonën e Allaxhiasit, afër vendit ku ishte shpërthyer zjarri dy ditë më parë.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme, zjarrfikësit e Dimalit janë mbështetur nga 3 mjete zjarrëfikëse nga Berati dhe forca të ushtrisë. Zjarri është duke u përhapur drejt pyllit me pisha, duke u ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta.
Zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë po përdorin pompa uji shpine dhe mjete rrethanore për të luftuar flakët, ndërkohë që policia po punon për të identifikuar autorët.