Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i PD-së, ka ngritur shqetësime mbi rritjen e krimeve në Shqipëri, duke raportuar se gjatë javës së fundit janë regjistruar 7 viktima nga vrasjet.
Ai ka kritikuar ashpër situatën, duke e krahasuar këtë periudhë me vitin 1997 dhe ka akuzuar policinë dhe qeverinë për dështim në mbrojtjen e sigurisë publike.
“Ftojmë turistët të vijnë, po për çfarë që të shohin “pistolierët” tanë sesi vrasin qytetarët teksa policia, qeveria e shteti në rastin më të mirë kur nuk janë palë, bëhen spektatorë në kinemanë horror!
Nuk janë vetëm çmimet e larta e abuzive që i tremben njerëzit kësaj vere por edhe krismat, atentatet, postpolloqet si në Kabul pa efikasitet ku polici si zaptie ja fut me shpullë qytetarit rasti Qato, trafiku i denatyruar nga mungesa e rrugëve e zjarret e ndezura me qëllim ndërtimi rrëze deteve!
Përsa kohë bandat ndikojnë në zgjedhje ministrash, për aq kohë do të numërojmë të vdekur në trotuare! Shqipëria ka nevojë për një qeveri e cila nuk rri në pushtet me fuqinë e krimit, por që përdor fuqinë e votës dhe të popullit për të shtypur krimin dhe kriminelët!”, shkruan Gjekmarkaj.