Deputetja Jorida Tabaku ka ngritur shqetësime lidhur me çmimet e larta në vend, duke akuzuar qeverinë për përkeqësimin e situatës ekonomike për qytetarët.
Në një postim në Facebook, Tabaku thekson se shqiptarët po përballen me kosto më të larta për produktet e domosdoshme për shkak të disa faktorëve që lidhen me politikën e qeverisë.
Sipas Tabakut, “çmimet e karburantit vazhdojnë të jenë të larta për shkak të një monopoli në treg që fatkeqësisht lejohet të operojë në dëm të konsumatorëve.”
Ajo gjithashtu akuzon qeverinë për rritjen e kostos së lëndëve të para, taksat e larta, dhe rënien e prodhimit vendas, që ka ndikuar në rritjen e çmimeve për produktet e importuara.
Tabaku po ashtu shprehet se “inflacioni është rritur, dhe kushdo po paguan më shumë për të marrë më pak,” duke theksuar se “inflacioni socialist ka shkatërruar të ardhurat e shqiptarëve, duke i lënë më të varfër dhe më vulnerabël.”
Ajo e përfundon postimin duke e quajtur këtë situatë si një sistem që është ngritur në kurriz të shumicës, duke përqendruar tregun në pak duar dhe duke ofruar tregje të monopolizuara me kosto më të larta për qytetarët.