Skandali me mbetjet toksike që janë kapur në Kinë dhe Tajlandë ka sjellë reagimin edhe nga “Qëndresa Qytetare” që bën thirrje për llogaridhënie dhe mobilizim të qytetarëve, ashtu si në rastin e armëve kimike, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi nga autoritetet.
“Skandali me mbetjet toksike, llogaridhënia dhe qëndresa qytetare duhet të jenë si për armët kimike! 215 kontejnerët me mbetje toksike të bllokuara në Kinë dhe Tajlandë pas hetimeve nga autoritetet ligjzbatuese në këto vende do të kthehen në vendin e origjinës në Shqipëri.
Ky skandal i përmasave të paprecendta na mësoi me faktin se në Shqipëri trafiku i mbetjeve toksike bëhet në Portin e Durrësit, siguria e të cilit veç autoriteteve tona është edhe nën lupën e partnerëve ndërkombëtare.
Sot një kompani private konkretisht “Kurum” përgënjeshtroi Ministrinë e Mjedisit, sipas së cilës 100 kontejnerët me mbetje toksike të kapura në Tajlandë jan të kompanisë “Kurum”. Ministria e Mjedisit duhet tu dëshmojë shqiptarëve ku janë marrë këto mbetje, a janë respektuar ligjet mjedisore përgjatë transportit të tyre dhe a i kanë kaluar filtrat e kontrollit institucional.
Drejtoria e Doganave të Shqipërisë në një reagim njoftoi se 115 kontejnerët me mbetje toksike të kapura në Kinë, e kanë origjinën nga Kosova, por Drejtoria e Doganave ka zgjedhur kodin “Omerta” për 800 ton mbetjet toksike të kapura në Tajlandë që origjinën e kanë nga Shqipëria.
Qytetarët nuk duhet të qëndrojnë indiferent përballë këtij skandali të rëndë, pasojat e të cilit mund të jenë dramatike në planin afatgjatë. Ashtu si për armët kimike, qytetarët duhet të kërkojnë transparence që çdo vendim qeveritar të jetë me patjetër në interesit të qytetarëve shqiptar” mbyllet thirrja.
800 ton mbetje drejt Tajlandës, prokuroria Durrës: Po hetojmë me OLAF-in