“Sfida më e madhe për të rinjtë në rajon është pasiguria. Ajo buron nga mungesa e besimit në institucione dhe mungesa e sundimit të ligjit,” thotë aktivistja Sofija Todoroviq nga Beogradi.
Një shaka cinike qarkullon prej vitesh në disa vende të Ballkanit: Si mund ta reklamoni Gjermaninë dhe Austrinë në rajon? Në një ftesë nga ndonjë agjenci udhëtimesh ndoshta do të shkruhej: “Ejani, sepse fëmijët tuaj janë tashmë këtu!”
Vitet e fundit, rajoni i Ballkanit Perëndimorështë prekur rëndë nga largimi i brezit të ri. Sipas të dhënave të Qendrës Federale Gjermane për Edukim Politik, pothuajse çdo i treti banor i Maqedonisë së Veriut tani jeton jashtë vendit. Situata është edhe më e keqe në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë, ku pesha e emigrantëve në totalin e popullsisë është 42 dhe 50 për qind.
Autoritetet federale tërheqin vëmendjen për faktin se emigrantët kontribuojnë ndjeshëm në mirëmbajtjen e familjeve të tyre në vendlindje. “Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, remitancat përbëjnë rreth dhjetë për qind të Prodhimit Bruto.
Megjithatë aktivistja Sofija Todoroviq nga Beogradi është e bindur: “Na mungojnë këta njerëz të zgjuar. Pa ata njerëz të zotët, të talentuar, krijues, punëtorë dhe të orientuar drejt BE-së, e ardhmja e vendeve tona është gjithashtu në pikëpyetje”. Todoroviq është drejtore e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut. Rrjeti, me zyra nëSerbi,Kroaci, Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, lidh të rinjtë përtej kufijve kombëtarë dhe etnikë.
Arsyet e ikjes nga vendet e Ballkanit
“Qeveria duhet të ndërtojë më pak ndërtesa dhe të investojë më shumë në arsim dhe edukim”, thotë një shofer taksie në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Ai nuk është më shumë se 30 vjeç, si rreth gjysma e bashkatdhetarëve të tij, sepse çdo i treti kosovar është nën 18 vjeç. Në të njëjtën kohë, në vendin që shpalli pavarësinë në vitin 2008, shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 19 për qind. Gjithnjë e më shumë të rinj kosovarë pyesin veten: Pse të punoni për një pagë mujore prej pak më shumë se 500 euro, kur mund të fitoni të paktën katër herë më shumë në Vjenë, Berlin apo Bazel? Në Prishtinë nuk mungojnë kurset e gjuhës gjermane. Nga ky vend ka ikur më shumë se gjysma e popullatës nga vendi, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës.
Sofija Todoroviq e njeh këtë problem, por beson se vetëm progresi ekonomik nuk do ta zgjidhë problemin e largimit. Ajo tërheq vëmendjen për një problem që shpesh neglizhohet në Perëndim: “Sfida më e madhe për të rinjtë në rajon është pasiguria. Ajo buron nga mungesa e besimit te institucionet dhe mungesa e sundimit të ligjit në këto vende, që i shqetëson shumë të rinjtë.
Paqëndrueshmëria dhe pasiguria politike
Në të vërtetë, situata politike në Ballkan është ende e pasigurt, edhe 30 vjet pas luftërave në Jugosllavi. Mosmarrëveshjet e Serbisë me Bosnjë-Hercegovinën, me Kosovën, Malin e Zi dhe Kroacinë, mosmarrëveshjet e Kroacisë me Malin e Zi dhe tensionet mes Maqedonisë së Veriut me vendet e tjera janë rritur së fundmi. Bëhet fjalë për nacionalizmin, ballafaqimin me të kaluarën dhe të drejtat e pakicave politike. Problemet janë të vjetra, ndërsa kërcënimet aktuale.
“Të rinjtë nuk duan të jetojnë në një vend ku çdo ditë ka raportime për shpërthimin e mundshëm të luftës. Ata nuk duan të jetojnë në një vend ku klima është e përshkuar me thashetheme se të gjithë po punojnë kundër nesh dhe që vazhdimisht kemi të mbrohemi”, thotë Todoroviq.
Atdheu i Sofija Todoroviq, Serbia, meriton një kapitull të veçantë. Krahas nacionalizmit të kudondodhur, këtu shtohet edhe sundimi autoritar i presidentit Aleksandar Vuçiq. Ai ka ndikim të madh në gjyqësor, në media dhe Kishën Ortodokse Serbe. Vuçiq përdor edhe marrëdhëniet e paqarta etnike në Ballkan. Todoroviq akuzon autoritetet politike se po i shfrytëzojnë “traumat që ende mbizotërojnë në rajon” për qëllime politike.
Çfarë duhet bërë që të rinjtë nga Evropa Juglindore të qëndrojnë dhe të përdorin energjinë e tyre të madhe për të ndihmuar në ndërtimin e vendit të tyre? Ne kemi nevojë për më shumë sundim të ligjit, më shumë drejtësi dhe më pak nacionalizëm, beson Todoroviq. Prandaj, nisma e saj fokusohet në edukimin politik, duke ofruar një pamje alternative të situatës.
“Ne tregojmë se paqja në rajon është e mundur, se ne mund të bashkëpunojmë me kolegët tanë nga vendet e tjera. Dhe se nuk duhet të përdorim përvojat e kaluara si armë kundër fqinjëve tanë, por mund t’i kthejmë ato në instrumente paqeje.”/DW