Një tragjedi ka ndodhur në lumin Drina, i cili shënon kufirin mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, ku një varkë me emigrantë ilegalë u përmbys, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tetë personave.
Incidenti ndodhi herët në mëngjes dhe për momentin, shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Sipas Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç, autoritetet e policisë kanë marrë raportime nga Bosnja dhe nga një qytetar që kishte njoftuar për ngjarjen. Varka, e cila kishte në bord rreth 30 persona, përmbysi në përpjekje për të kaluar lumin.
Raportohet se 18 nga ata arritën të shpëtojnë dhe të dalin në bregun boshnjak. Ekipet e shpëtimit dhe policia janë angazhuar në kërkimin e të mbijetuarve.