Gjatë ditës së dytë të konferencës “Diplo 2024”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, shpalli krijimin e një departamenti të ri në Ministrinë e Jashtme, i cili do të merret ekskluzivisht me çështjet e shqiptarëve në rajon.
Ky departament do të fokusohet në përmirësimin e përfaqësimit dhe angazhimit të Shqipërisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Kosovë dhe Mal të Zi, me qëllim për të mbështetur integrimin e tyre në strukturat euroatlantike dhe për të adresuar çështjet e rëndësishme që ata përballen.
Në panelin “Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit”, Ministri Hasani theksoi angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë proces.
Pjesëmarrësit e tjerë të panelit, përfshirë zyrtarë nga RMV dhe Mali i Zi, vlerësuan mbështetjen e Shqipërisë dhe bënë thirrje për zhvillimin e strategjive kombëtare që adresojnë interesat e shqiptarëve në rajon.