Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur shqetësim për lëvizjet “e njëanshme” të Kosovës, duke theksuar se këto nuk përbëjnë një sinjal pozitiv për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Gjatë një konference të përbashkët me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd, Macron theksoi përkushtimin e Francës në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një hap të rëndësishëm për të përmirësuar situatën.
“Në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Macron.
Macron theksoi se qëllimi kryesor është të arrihet përparim në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dhe u angazhua për mbështetje të vazhdueshme në ndërmjetësimin evropian për këtë qëllim. Ai gjithashtu lavdëroi Serbinë për përpjekjet e saj dhe nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të raporteve në Ballkanin Perëndimor.
“Do të vazhdojmë të përkrahim ndërmjetësimin evropian, në mënyrë që të arrihet përparim në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, që janë kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këto raporte tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen, e ne do të kemi lëvizje të lirë dhe jetë më të mirë për njerëzit”, ka thënë ai.