Caktimi i 12 drejtuesve politikë në qarqe ka shkaktuar tensione të forta brenda Partisë Demokratike. Luan Baçi, Edmond Spaho dhe Tomor Alizoti janë lënë jashtë listës, një veprim që ka nxitur pakënaqësi të dukshme nga ana e këtyre individëve gjatë mbledhjes së Kryesisë që po zhvillohet me dyer të mbyllura. Në mbështetje të tyre ka dalë edhe Edith Harxhi, e cila ka akuzuar Gazment Bardhin për mosveprim në mbrojtje të Sali Berishës.
Harxhi ka kritikuar ashpër listën e caktuar, duke theksuar se është turp që asnjë qark nuk ka një drejtuese grua. “Është për të ardhur turp që gjithë kjo parti nuk ka një zonjë për të drejtuar një qark. Jemi kthyer në parti burrash”, ka thënë Harxhi.
Përveç kësaj, ajo e ka kërkuar Bardhin për të bërë më shumë për lirimin e Berishës, duke sugjeruar se duhet një aksion konkret dhe jo thjesht letra për kancelaritë.
Tensionet janë rritur edhe mes besnikëve të Berishës, të cilët kërkojnë që opozita të përqendrohet në kërkimin e lirimit të kryetarit të partisë nga izolimi politik.
Nga ana tjetër, Luan Baçi është shprehur i pakënaqur për mënyrën si u shpallën emrat, duke akuzuar se ishin të paracaktuar dhe që informacione për emrat ishin shfaqur në media para se të merrej vendimi nga Kryesia.
Në mbledhje, Sali Berisha është shprehur përmes videokonferencës, duke kërkuar një organizim më të mirë dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj Kryesie në rivendosjen e votës së lirë për qytetarët shqiptarë.